Takimi Rama- Vuçiç- Zaev, Albin Kurti e ka një mesazh për kryeministrin shqiptar

Kryeministri Albin Kurti është i mendimit se Tirana zyrtare do duhet ta shohë në çdo rast Serbinë dhe politikën kundrejt saj me “sytë” e Kosovës.

Ky është qëndrimi që ka mbajtur kryeministri i ri i Kosovës Albin Kurti, i pyetur nga Zëri Amerikës se çfarë gjykimi ka për marrëveshjen e djeshme mes Ramës- Vuçiç e Zev mbi të ashtuquajturin “mini- shengen”. Kurti është shprehur se së shpejti ai ka në plan të bëjë një takim me qeverinë shqiptare. Kreu i qeverisë së re theksoi gjithashtu se Shqipëria në iniciativat e saj duhet të përfshijë dhe Kosovën.

Zëri i Amerikës: Zoti Kurti të enjten në Novi Sad presidenti i Serbisë Aleksandër Vucic, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, nënshkruan një deklaratë për atë që ata e kanë quajtur si një “mini shengen” ballkanik. Si e shini ju një deklaratë të tillë dhe mungesën e Kosovës këtu?

Albin Kurti: Në njëfarë mënyre të tria këto vende tashmë e kanë lirinë e lëvizjes e kanë liberalizimin e vizave, këtu çështja është që Kosova ta fitojë këtë gjë. Unë jam i bindur që për liberalizimin e vizave të Kosovës thelbësore është Prokuroria Speciale, pra liberalizimin e vizave nuk do ta sjellë qeveria e re por aktiviteti i ri i Prokurorisë Speciale atëherë kur ajo do të jetë e çliruar prej ekzekutivit. Unë synoj që të takohem me qeverinë e Republikës së Shqipërisë dhe të shohim më konkretisht se për çfarë bëhet fjalë, por mendoj që në të gjitha këto iniciativa është tejet e rëndësishme që Kosova të jetë gjithnjë e pranishme, e përfaqësuar, të marrë pjesë, sepse Serbia duhet të shihet me sytë e Kosovës nga Tirana zyrtare.