Të rrjepim kosovarët siç ua bëri serbi! Shpallen në kërkim dy ekstremistët nga Lezha dhe Malësia e Madhe (VIDEO)

Dy video të publikuara sëfundmi në rrjetet sociale nga dy persona që bënin thirrje për sulm ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë vetëm për shkakun se ishin myslimanë kanë shkaktuar mjaft shqetësim në opinionin publik.

Në video të ndryshme shihen dy persona që bëjnë thirrje për “rrjepje të myslimanëve kosovarë dhe të Maqedonisë siç ua bëri serbi”. Kjo ka shkaktuar mjaft reagime në rrjetet sociale duke bërë që policia të njoftojë sëfundmi se ka shpallur në kërkim dy personat.

Bëhet fjalë për një 39 vjeçar nga Hoti i Malësisë së Madhe dhe një 36 vjeçar nga Kallmeti i Lezhës, të cilat kanë bërë thirrje kundër shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë në rrjetet sociale.

Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit ka nisur menjëherë verifikimet përkatëse për të vënë para përgjegjësisë ligjore këta komentues të cilët me komentet e tyre nxisin urrejtjen dhe grindjet.

Nga tërësia e veprimeve procedurale të kryera janë identifikuar dy personat që kanë folur me gjuhën e urrejtjes të cilët janë :

A.Z,, 39 vjeç, banues në Hot, Malësi e Madhe.

L.M, 36 vjeç, banues në Kallmet Lezhë.

Të dy këta persona janë shpallur në kërkim policor pasi nga verifikimet ka rezultuar të jenë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe Lezhë për veprën penale të “Nxitje e urrejtjes ose grindjeve” parashikuar nga neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë dhe po punohet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të goditur çdo aktivitet të kundra ligjshëm dhe për siguruar një mjedis të përshtatshëm dhe të sigurtë për të gjithë shtetasit shqiptar apo të huaj që kanë zgjedhur vendin tonë për të kaluar pushimet verore.

Kombi shqiptar mbështetet mbi vlerat e tij historike të lirisë, paqes me fqinjët dhe kombet e tjera, bashkëjetesës dhe harmonisë ndër fetare.
Këto janë vlera qytetëruese që rrezatojnë në botë dhe kontribuojnë në të ardhmen evropiane të rajonit.