ZGJEDHET ”MISS LOPA 2019” FERIZAJ

Në hapësirat e tregut të kafshëve në Ferizaj, për herë të parë është mbajtur Panairi i Gjedhëve organizuar nga grupi lokal i veprimit “Bifurkacioni” në bashkëpunim me ”Iniciative for Kosova Community” dhe komunën e Ferizajt, i cili synohet të bëhet tradicional.

Me këtë rast, Drejtori i Bujqësisë Burim Bajrami, tha se përmes këtij panairi synojnë që të stimulojnë fermerët për të kultivuar raca të pastërta dhe produktive të gjedhëve.

“Është panairi i parë që organizohet në komunën e Ferizajt, bëhet në bashkëpunim me grupin lokal të veprimit dhe me OJQ-në IKC, është hera e parë, ka shumë pjesëmarrje të kënaqshme të fermerëve, po synojmë që sado pak ata të cilët kultivojnë racë të pastër dhe të mirë t’i shpërblejmë, vendi i parë, i dytë , i tretë, i katërt dhe i pestë kanë shpërblime dhe me këtë po synojmë që edhe fermerët tjerë të cilët nuk kanë raca të mira, të pastërta t’i stimulojmë përmes shpërblimeve që t’i kultivojnë racat e pastërta dhe produktive brenda komunës sonë”, tha drejtori Bajrami.